https://telegrafi.com/diskutohet-pasiguria-juridike-dhe-mungesa-e-monitorimit-ne-prokurim-publik/
11.07.2018
Demokraci Plus (D+), të mërkurën ka mbajtur një tryezë diskutimi lidhur me punën e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe procesin e monitorimit të aktiviteteve të prokurimit aga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).
Gjatë kësaj tryeze, lidhur me këto dy institucione janë publikuar dy raporte të ndara, të cilat paraqesin problemet kryesore që ndikojnë në gjithë sistemin e prokurimit publik.
Isuf Zejna, Menaxher i Programit në D+, përmendi parregullsitë në OShP, si institucion kompetent për të vendosur për ankesat e ushtruara nga kompanitë ankuese.
Ai si problem kryesor përmendi çështjet siç janë moskonsistenca e vendimeve dhe vonesat në vendimmarrje.
Ndërkaq, Rrita Ismajli, hulumtuese në D+, shpalosi rolin e KRPP-së, si institucion rregullativ, i cili krijon rregulla të lojës për të gjithë akterët që janë pjesëmarrës në aktivitete të prokurimit.
Ajo tha se ka mungesë të mbikëqyrjes së aktiviteteve të prokurimit nga ana e KRPP-së, veçanërisht në fazën pas dhënies së kontratës.
Ismajli përmes një krahasimi me shtetet tjera theksoi se do të ishte më së i nevojshëm adaptimi i monitorimit të plotë të kontrollit ex-ante dhe ex-post në këto aktivitete.
Në panelin e kësaj tryeze të ftuar ishin kryetari i OShP-së, Blerim Dina dhe anëtari i Bordit të KRPP-së, Sami Uka, të cilët ofruan komentet e tyre lidhur me gjetjet e këtyre raporteve.
Moskonsistencën e vendimeve, Dina e arsyetoi me rrethana të ndryshme që dalin nga rasti në rast, e që sipas tij nuk duhet të krijohen shabllone në vendimet që merr paneli shqyrtues. Ndërsa, për vonesat në vendimmarrje, ai ua hudhi fajin autoriteteve kontraktuese, pasi nuk i dorëzojnë dosjet me kohë.
Ndryshe, Uka foli për rolin që ka KRPP-ja në funksionimin dhe mbarëvajtjen e gjithë sistemit të prokurimit publik.
Ai tha se monitorimi që KRPP bën, edhe pse me numër të vogël të zyrtarëve, ka pasur efekt në evitimin e mangësive në prokurim publik, por jo edhe në luftën kundër korrupsionit. Uka nder të tjera shtoi se është e pamundur që të monitorohen rreth gjashtë mijë njoftime që bëhen në vit me po ata zyrtarë.
Po ashtu, pjesë e tryezës kanë qenë edhe zyrtarët të institucioneve të ndryshme, pjesëtarë nga shoqëria civile dhe media.