18.6.2019.
Kjo thirrje për trajnim u drejtohet organizatave lokale të shoqërisë civile, të cilat i plotësojnë kriteret e mëposhtme:
1) janë të regjistruara dhe veprojnë në Kosovë;
2) janë aktive për më shumë se një vit;
3) janë jo-fitimprurëse;
4) kanë qarkullim vjetor deri në 50,000 €
Qëllimi i trajnimit:
Me këtë trajnim dëshirojmë të ngrisim kapacitetet e organizatave qytetare (grassroot) të Ballkanit Perëndimor dhe të mundësojmë pjesëmarrjen aktive në luftën kundër korrupsionit në fushën e prokurimit publik.
Pas përfundimit të trajnimit, organizatat e trajnuara nga pesë vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë të paraqesin projekt propozimet e tyre dhe të aplikojnë për grante. Numri i parashikuar i organizatave që do të fitojnë grante nga pesë vendet e Ballkanit Perëndimor është 10-20.
Kohëzgjatja e trajnimit: trajnim/punëtori dy-ditore
Numri i parashikuar i OSHC-ve të Ballkanit Perëndimor: 50
Numri i parashikuar i personave të trajnuar: 50
Numri i parashikuar i OSHC-ve për secilin vend: 10
Numri i parashikuar në secilin vend: 10 persona nga 10 organizata
Temat që do të mbulohen:
1) Pjesa hyrëse: Korrupsioni në Prokurimin Publik
- Cenueshmëria e prokurimit publik ndaj korrupsionit
- Rrethanat dhe shkaqet e korrupsionit në prokurimin publik
- Zbulimi i skemave të korrupsionit
- Pikat kyçe të referencës për parandalimin e korrupsionit në sistemet e prokurimit publik
- Masat praktike kundër korrupsionit në prokurimin publik
2) Metodologjia e Balkan Tender Watch (BTW): hyrje
Metodologjia e BTW: mjet i krahasimit – instrument i përdorur për identifikimin e pikave në sistemet e prokurimit publik më të rrezikuara nga korrupsioni.
Trajnimi do të mbulojë tre segmente kryesore të cilat përshkruajnë tiparet kryesore të sistemeve të prokurimit publik, bazuar në të dhënat e mbledhura përmes aplikimit të metodologjisë së zhvilluar:
- Segmenti i parë do të fokusohet në legjislacionin (harmonizimi i tij me rregullat e BE-së dhe parimet kryesore kundër korrupsionit) dhe performancën e sistemeve në përgjithësi (rezultatet në nivelin e sistemit, të bazuar në statistikat zyrtare).
- Segmenti i dytë i metodologjisë do të fokusohet në ciklin e prokurimit publik dhe do të nxjerrë të dhëna nga monitorimi i rasteve specifike të prokurimit publik (analizuar më parë nga koalicioni BTW).
- Segmenti i tretë i metodologjisë do të fokusohet në matjen e përgjegjshmërisë së institucioneve përgjegjëse për integritetin dhe luftimin e korrupsionit në rastet e prokurimit publik. Kjo do të bëjë matjen e efektivitetit të mekanizmave anti-korrupsion (procedurat dhe institucionet) bazuar në rastet e provuara tashmë nga sistemi.
Trajnimi është dizajnuar si një cikël mësimi dhe përbëhet nga tre hapa themelorë: eksplorimi, zhvillimi i koncepteve dhe aplikimi i konceptit. Në këtë mënyrë të trajnuarit do të jenë të gjendje të eksplorojnë dhe identifikojnë pikat e rrezikuara të korrupsionit në prokurimin publik, në komunitetet e tyre lokale. Gjithashtu, ata do të jenë në gjendje të aplikojnë instrumentin e benchmarking të BTW në projekt propozimet e tyre bazuar në rastet e korrupsionit lokal.
Pas trajnimit, të gjitha organizatat pjesëmarrëse do të ftohen që të paraqesin projekt propozimet e tyre dhe të aplikojnë për skemën e grant-dhënies.
Zbatimi i instrumentit të krahasimit në nivel lokal nga nën-dhënësit e përzgjedhur
Përfituesit e përzgjedhur do t’i zbatojnë projektet e tyre brenda periudhës maksimale prej 12 muajsh. Ata do të aplikojnë instrumentin e benchmarking (metodologjinë e zhvilluar) me raste konkrete të prokurimit publik (3-5 raste për grantmarrës). Gjatë zbatimit të projektit, grant-marrësit do të kryejnë monitorim të hollësishëm të rasteve të përzgjedhura, duke aplikuar instrumentin e benchmarking (metodologjisë) dhe pas përfundimit të monitorimit, do të bëjnë raporte të detajuara bazuar në gjetjet e tyre. Grant-marrësit gjithashtu do të kenë mundësinë të paraqesin raportet dhe gjetjet e tyre gjatë një prej sesioneve të konferencës rajonale të Koalicionit.
Aplikimi
Për të aplikuar për trajnim, ju lutem shkarkoni (downloadoni) këtë formë të aplikimit, plotësojeni dhe dërgojeni me email duke i bashkangjitur:
- certifikatën e regjistrimit të OJQ-së,
- portfolion e OJQ-së (nëse ka) apo një përshkrim të shkurtër mbi veprimtarinë e OJQ-së, dhe
- CV-në e personit që do të marrë pjesë në trajnim.
Të gjitha këto dokumente duhet ti dërgoni në email adresat: deniong@kfos.org dhe rrita.ismajli@kfos.org më së largu deri me 2 korrik 2019 në ora 17:00.
Trajnimi mbahet në Prishtinë më 17 dhe 18 korrik 2019.
Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga projekti, përfshi edhe fjetjen në hotel për pjesëmarrësit që jetojnë jashtë Prishtinës.
Për më shumë informata rreth projektit, klikoni dokumentet më poshte: